Më 18 prill është finalja e madhe e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”. E teksa po i vjen fundi, tensionet dhe diskutimet janë si brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri ashtu dhe jashtë.
Ish-banorët, publiku apo dhe personazhe të njohur të ekranit japin mendimet e tyre në lidhje me finalistët dhe kush mund të jetë fituesi i çmimit të madh.
Në këtë valë reagimesh është përfshirë edhe fituesja e edicionit të tretë, Egla Ceno, e cila ka ndarë publikisht qëndrimin e saj për garën aktuale.
Nëpërmjet një postimi në “Instastory”, aktorja e njohur ka bërë një analizë të drejtpërdrejtë për finalistët, duke përdorur një metaforë të fortë:
“Mbretin e bëjnë oborrtarët”.
Sipas Egla Cenos, java e fundit ka zbuluar qartë rolet reale të banorëve dhe mënyrën se si ata pozicionohen në raport me njëri-tjetrin.
Aktorja nuk e fshehu edhe një zhgënjim personal, duke treguar se fillimisht kishte dëshiruar që këtë sezon ta fitonte një vajzë. Megjithatë, sipas saj, kandidatja që ajo kishte në mendje nuk ka arritur të mbajë një qëndrim të fortë, duke rënë në sjellje që ajo i cilëson si “oborrtare”.
Në analizën e saj, Ceno u ndal veçanërisht tek dy nga emrat më të komentuar të finales, Miri dhe Selina. Për aktoren, diferenca mes tyre është e qartë: ajo e sheh Mirin si figurën qendrore të lojës, një banor që jo vetëm perceptohet si lider nga të tjerët, por edhe sillet si një fitues i denjë.
Në përmbyllje, Egla nuk kurseu as ironinë për finalistët e tjerë, duke i cilësuar si “vasalë të mbretit” dhe duke dhënë një mesazh të prerë për dinamikat e lojës.

“Thotë një shprehje: “Mbretin e bëjnë oborrtarët” dhe kjo java e fundit po tregon kush është ‘mbreti’ dhe kush ‘oborrtarët’. Unë doja ta fitonte një grua por e shoh në sjellje oborrtari. Mes Mirit dhe Selin, ky i pari jo vetëm shihet si ‘mbreti’ nga finalistët por edhe sjelljen e ka prej fituesi. Mos të flasim për ata dy të tjerët pastaj, duken thjesht si vasalët e ‘mbretit’. Me pak fjalë, pa içik zgjuarsi, kjo garë të lë me duar në xhepa.
Për mua Miri është fitues”, shkruan Egla Ceno në postimin e saj në “Instastory”.


