Një nënë 47-vjeçare nga Ohio ka humbur jetën pas komplikacioneve të dyshuara nga një operacion estetik për barkun, vetëm dhjetë ditë pasi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Rachel Tussey u konfirmua e vdekur të martën, pasi kishte kaluar disa ditë në gjendje kritike pas operacionit. Gruaja kishte dokumentuar gjithë rrugëtimin e saj drejt transformimit fizik në rrjetin social TikTok, ku ndiqej nga rreth 25 mijë persona.

Para operacionit ajo kishte ndarë edhe momentet e konsultës me mjekun, duke u kërkuar ndjekësve të luteshin për të. Në një nga videot e saj ajo shprehej se kishte pritur gjatë për këtë ndërhyrje dhe besonte se gjithçka do të shkonte mirë. Pas operacionit, bashkëshorti i saj Jeremy tregoi se gjërat nuk kishin shkuar sipas planit. Ai tha se fillimisht mjeku e kishte siguruar se ndërhyrja kishte përfunduar me sukses.

Por pak më vonë, ndërsa Rachel po merrte medikamente kundër dhimbjes, gjendja e saj u përkeqësua papritur. Sipas tij, fytyra e gruas ndryshoi ngjyrë dhe ajo u bë e pavetëdijshme. Infermierët nisën menjëherë procedurat e reanimimit, ndërsa më pas u thirr urgjenca. Rachel u dërgua me ambulancë në spitalin TriHealth Bethesda North, ku u vendos në aparatura për mbajtjen artificiale të jetës.

Bashkëshorti i saj tha se gruaja kishte mbetur pa oksigjen për më shumë se gjashtë minuta dhe më vonë mjekët i komunikuan familjes se ajo kishte vdekje cerebrale. Pas disa ditësh pritjeje, familja mori vendimin e dhimbshëm për ta shkëputur nga aparaturat që e mbanin në jetë.

Jeremy deklaroi se dëshiron të zbulojë se çfarë ndodhi realisht gjatë operacionit, duke lënë të kuptohet se mund të ketë pasur neglizhencë mjekësore.