I ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë artisti i njohur, Don Phenom. Në këtë intervistë ekskluzive ai ka ndarë detaje nga jeta e tij, karriera ndër vite dhe projektet që pritet të realizojë shumë shpejt.

Para pak ditësh Don Phenom ka publikuar “Rrugës i Trishtuar” një rikrijim i këngës së Eli Farës “Sonata” por në mënyrën më të veçantë artistike. Kur u pyet nga Jonida në lidhje me këtë projekt ai u shpreh se:

Është mirë kur një artist e sfidon veten me art dhe me tema të ndryshme. Kjo është një këngë klasike dhe një element komplet ndryshe. Falenderoj Apollo-n që ka sjellë muzikën dhe ideja më ka pëlqyer shumë. 

Çfarë i pëlqeu më shumë nga krijimi i Eli Farës që në moment ai tha se do t’ia ‘rrëmbente’?

 Është legjendë, nuk kam çfarë të them. Unë desha ta sfidoja veten me një temë pak më serioze. Jam munduar gjithmonë të sjell elemente të reja.  

Kur dëgjon tekstin kupton se në rreshta mund të jetë dhe diçka personale, kur u pyet në lidhje me frymëzimin për këtë këngë Don Phenom u shpreh:

Të them të drejtën kur mendon se nga ka ardhur inspirimi për këngën është pak qesharake sepse tani edhe mosha bën të vetën. Në fëmijërinë time ka qenë një film turk shumë i famshëm “Shamikuqja”. Jam inspiruar nga ai film e kam parë tani vonë dhe doja ta zbukuroja pak me disa gjëra moderne, jo personale. 

Ai shtoi se:

Doja të sillja një element tjetër sepse zakonisht ose më njohin për këto këngët super provokuese ose për këngët që janë super të egra prandaj doja edhe të sillja një variant pak më delikat dhe më me tekst. Po ta analizosh është hip-hop në fund të fundit.