Historia e majmunit të vogël Punch, i lindur në korrik të vitit të kaluar në Ichikawa Zoological and Botanical Garden, është bërë virale në mbarë botën pasi videot që tregojnë jetën e tij në kopshtin zoologjik kanë shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale.

Punch u braktis nga nëna e tij menjëherë pas lindjes dhe për një periudhë u pa i izoluar nga grupi i majmunëve, shpesh duke mbajtur një arush pelushi si ngushëllim. Pamjet ku ai shihej duke u ndjekur nga majmunë më të mëdhenj kanë shqetësuar shumë njerëz në internet.

Fillimisht, kopshti zoologjik bëri të ditur se Punch ishte marrë nën kujdes nga një grup majmunësh. Në muajin shkurt, drejtuesit e institucionit pranuan se majmuni i vogël ishte ngacmuar nga disa prej tyre, por theksuan se nuk kishte pasur “agresion serioz”.

Megjithatë, videot që qarkulluan në internet ngritën shqetësime të reja për mirëqenien e tij.

Në një deklaratë për mediat, drejtuesit e Ichikawa Zoological and Botanical Garden thanë se kishin marrë shumë mesazhe nga njerëz brenda dhe jashtë Japan që shprehinin shqetësim për Punch.

Sipas tyre, makakët japonezë jetojnë në një shoqëri shumë hierarkike, ku individët dominues shpesh tregojnë sjellje “disiplinuese” ndaj majmunëve më të dobët.

Primatologët japonezë kanë studiuar sjelljen dhe strukturën shoqërore të makakëve që nga viti 1948. Bazuar në këto studime, kjo lloj ‘disipline’ është një sjellje natyrale që ndodh në shumë grupe makakësh

-thuhet në deklaratë.

Kopshti zoologjik theksoi gjithashtu se Punch kalon pjesën më të madhe të ditës në qetësi dhe se numri i majmunëve që kujdesen për të apo luajnë me të është në rritje.

Sipas tyre, disa majmunë dominues që shfaqnin sjellje më agresive u larguan përkohësisht nga grupi më 8 mars dhe po monitorohen nga stafi.

Ndërkohë, organizata për të drejtat e kafshëve PETA ka kritikuar ashpër situatën, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të problemeve që lidhen me mbajtjen e kafshëve në kopshtet zoologjike.

Presidenti i PETA-s për Azinë, Jason Baker, deklaroi se pamjet nuk janë thjesht “të lezetshme”, por tregojnë një kafshë që përballet me izolim dhe humbje.

Fama në internet nuk e ndryshon realitetin e robërisë. Ajo vetëm sa ushqen një cikël ku kafshët përdoren për të tërhequr vizitorë dhe për të rritur shitjet e biletave

-tha ai.

Pavarësisht kritikave, kopshti zoologjik ka bërë të ditur se nuk planifikon ta largojë Punch nga grupi, pasi ai tashmë është mësuar të jetojë me ta dhe një ndarje e tillë mund ta bëjë të pamundur rikthimin e tij në grup në të ardhmen.