Victoria Beckham ka tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave dhe fansave në mbarë botën me një postim të bërë në profilin e saj në “Instagram”.
Postimi i saj u interpretua si një mesazh i drejtpërdrejtë për djalin e saj të madh, Brooklyn Beckham. Në një moment kur marrëdhënia mes tyre përflitet se është e tensionuar, stilistja dhe ish-këngëtarja ka zgjedhur të flasë me pak fjalë, por me shumë domethënie.
Postimi u publikua në kuadër të një momenti të rëndësishëm për Victorinë, pasi ajo u nderua me çmimin francez “Chevalier de L’Ordre des Arts et des Lettres” nga Ministrja e Kulturës, Rachida Dati. Krahas fotove nga ceremonia, ajo ndau një shënim falënderimi të gjatë, por ajo që mori më shumë vëmendje ishte një fjali e shkurtër: “Familja është gjithçka”.

Këto tre fjalë u interpretuan gjerësisht si një thirrje emocionale dhe një mesazh i koduar për Brooklyn-in, me të cilin raportet, sipas mediave, janë ftohur pas disa mosmarrëveshjeve të fundit. Burime pranë familjes kanë bërë të ditur se situata u tensionua pas akuzave të Brooklyn ndaj nënës së tij, duke pretenduar se ajo u soll në mënyrë të papërshtatshme gjatë dasmës së tij.
Mesazhi i Victorias, megjithëse i thjeshtë në formë, u pa nga shumë ndjekës si një përpjekje për të rikthyer unitetin familjar dhe për të dërguar një sinjal pajtimi. Reagimet në rrjete sociale nuk munguan, duke nxitur spekulime të shumta mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve brenda një prej familjeve më të famshme në botën e showbiz-it.
Në një kohë kur çdo detaj i jetës së tyre analizohet në publik, një fjali e vetme mjaftoi për të rihapur diskutimet rreth dramës familjare dhe për të rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjen mes nënës dhe djalit.


