Dua Lipa mund të rikthehet në skenën e Sanremos, këtë herë jo vetëm si artiste e ftuar, por edhe në rolin e bashkëprezantueses së një prej netëve të festivalit.

Sipas burimeve nga mediat italiane, emri i këngëtares shqiptare është pjesë e planeve të Stefano De Martinos për edicionin e Sanremos 2027, në debutimin e tij si drejtor artistik dhe prezantues i festivalit.

Negociatat mes palëve thuhet se kanë nisur, por marrëveshja nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Dua Lipa ka qenë më parë pjesë e Sanremos. Në vitin 2020, gjatë drejtimit të festivalit nga Amadeus, ajo u ngjit në skenën e Teatrit Ariston dhe performoi hitin “Don’t Start Now”, në një spektakël të shoqëruar nga tetë balerina.

Nëse marrëveshja për vitin 2027 finalizohet, ende nuk dihet se në cilën mbrëmje do të shfaqet artistja. Në diskutim janë nata e parë dhe finalja, ndërsa një tjetër mundësi është nata e re “Performance”, e lidhur me përzgjedhjen e përfaqësuesit italian për Eurovision.

Një element që favorizon mundësinë e pjesëmarrjes së saj është edhe axhenda e këngëtares. Aktualisht, Dua Lipa nuk ka koncerte të planifikuara gjatë periudhës së Sanremos, që do të zhvillohet nga 16 deri më 20 shkurt 2027 në Teatrin Ariston.

Megjithatë, deri në festival kanë mbetur ende disa muaj dhe gjithçka mbetet në fazën e negociatave.

Dua Lipa nuk është emri i vetëm i përfolur për një rol në skenën e Sanremos 2027. Në Itali është diskutuar edhe mundësia e pjesëmarrjes së Maria De Filippi si bashkëprezantuese e një prej netëve.

Për De Martinon, një bashkëpunim me De Filippin do të kishte edhe një kuptim personal. Pikërisht në programin “Amici”, të drejtuar prej saj, ai nisi eksperiencën televizive në vitin 2009.

Nëse konfirmohet, prania e Dua Lipës do t’i jepte Sanremos 2027 një tjetër emër të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa për këngëtaren shqiptare do të ishte një rikthim në një prej skenave më të rëndësishme muzikore të Italisë.