Një lajm i rremë që qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se këngëtarja Dua Lipa është transgjinore, ka shkaktuar reagime të forta pasi u zbulua se artikulli është publikuar me firmën e rreme të një gazetareje. Gazetarja dhe autorja Sezin Koehler ka reaguar publikisht, duke shprehur habinë dhe indinjatën e saj pasi hasi një artikull të publikuar në internet me emrin e saj, në të cilin përhapeshin pretendime të pavërteta për identitetin gjinor të këngëtares.

Ajo sqaroi se nuk është autore e shkrimit dhe se bëhet fjalë për një manipulim të qëllimshëm të një artikulli të vjetër, i cili është ndryshuar për të përhapur dezinformim.

Në reagimin e saj, Koehler theksoi se historia është krejtësisht e rreme dhe se Dua Lipa nuk është transgjinore. Ajo shtoi se në versionin fals të artikullit kishte edhe gabime elementare, përfshirë shkrimin e gabuar të emrit të këngëtares, çka sipas saj tregon qartë natyrën mashtruese të përmbajtjes.

Megjithëse autorja e vërtetë ka mohuar publikisht lidhjen me artikullin, pamjet e falsifikuara vazhdojnë të qarkullojnë online, veçanërisht sa herë që Dua Lipa flet për mbështetjen e saj ndaj komunitetit LGBTQ+.