Dy muaj pas martesës me Callum Turner, Dua Lipa ka folur hapur për kapitullin e ri të jetës së saj në një intervistë për kopertinën e shtatorit të “Vogue Italia”.
Këngëtarja e përshkruan martesën si “magjike”, ndërsa tregon se pas ceremonisë civile në Londër, festimet vazhduan për tre ditë në Palermo. Italia ka një rëndësi të veçantë për të, jo vetëm për shkak të miqve dhe kulturës, por edhe sepse e konsideron një vend ku gjen qetësi dhe mirëqenie.
Në moshën 31-vjeçare, Dua thotë se është larguar nga perfeksionizmi që e karakterizonte më parë. Sot kërkon më shumë autenticitet, spontanitet dhe dëshiron të shijojë jetën pa u përpjekur që gjithçka të jetë perfekte.
Një rol të rëndësishëm në këtë qetësi luajnë familja dhe bashkëshorti i saj. Dua thotë se ajo dhe Callum e kuptojnë ambicien dhe punën e njëri-tjetrit, ndërsa për të ndjenja e “shtëpisë” nuk lidhet më me një vend të caktuar: “Ndihem si në shtëpi kudo që është bashkëshorti im”.
Këngëtarja foli gjithashtu për marrëdhënien me rrjetet sociale, dashurinë për librat dhe platformën e saj “Service95”. Pavarësisht 88 milionë ndjekësve në Instagram, ajo përpiqet të ruajë një kufi të qartë mes jetës publike dhe asaj private.
Filozofia që përmbledh më së miri këtë fazë të jetës së saj është: “Dua një jetë të plotë, por jo të mbingarkuar”. Për Duan, suksesi nuk matet më vetëm me karrierën, por edhe me jetën që ndërton jashtë saj.
Ky ndryshim duket se do të ndikojë edhe në muzikën e ardhshme. Nëse më parë frymëzohej nga kërkimi i dashurisë dhe zemrat e thyera, tani dëshiron të eksplorojë atë që ndodh pasi dashurinë e vërtetë e ke gjetur.
