Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa dhe aktori Callum Turner, duket se po përgatiten për një tjetër ceremoni martesore, vetëm pak ditë pasi kurorëzuan dashurinë e tyre në Londër.

Sipas raportimeve, çifti u martua më 31 maj në një ceremoni intime të mbajtur në Old Marylebone Town Hall, ku morën pjesë vetëm familjarë dhe miq të afërt.

Pas asaj, ata janë parë në Palermo të Italisë, ku po bëjnë përgatitjet për një festë më të madhe disa-ditore.

Fotografitë e publikuara tregojnë Lipën dhe Turner duke shëtitur në Palermo.

Këngëtarja ishte veshur me një këmishë të bardhë dhe kapelë sportive, ndërsa Turner me një këmishë ngjyrë kafe dhe pantallona të shkurtra.

Më vonë ata u panë edhe me veshje sportive, teksa vazhdonin organizimet për eventin.

Në aeroportin e Palermos janë fotografuar gjithashtu motra e saj, Rina Lipa si dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, të cilët kanë mbërritur në Sicili për ceremoninë.

Historia e dashurisë mes tyre nisi të tërhiqte vëmendjen në janar të vitit 2024, kur u panë së bashku në një festë pas premierës së serialit “Masters of the Air” në Londër.