Dua Lipa ka marrë një vendim të bujshëm, që po komentohet gjerësisht në median ndërkombëtare: këngëtarja me origjinë nga Kosova ka shkarkuar menaxherin e saj, David Levy, pas një përplasjeje të fortë për çështje që lidhen me mbështetjen për Palestinën.
Sipas Los40, gjithçka nisi kur organizatorët e Festivalit Glastonbury zbuluan një email konfidencial nga Levy, në të cilin ai kërkonte anulimin e performancës së grupit irlandez Kneecap, një trio repi e njohur për qëndrimet e tyre politike dhe mbështetjen për kauzën palestineze.
Në emailin në fjalë, Levy shkonte edhe më tej, duke akuzuar grupin për lidhje të dyshuara me Hezbollahun – një pretendim që organizatorët nuk e morën parasysh dhe që nuk e ndaloi grupin të performonte në festival.
Kur Dua Lipa mësoi për përpjekjen e menaxherit të saj për të ndikuar në linjën artistike të festivalit, reagoi menjëherë duke i dhënë fund bashkëpunimit me të. Për këngëtaren, veprimi i tij ishte “i papranueshëm, jo vetëm profesionalisht, por edhe në kundërshtim të plotë me vlerat që ajo përfaqëson”.
Dua Lipa dhe mbështetja për Palestinën
Dua Lipa është shquar vitet e fundit si një nga figurat më të zëshme në industrinë e muzikës që ka mbështetur hapur Palestinën, duke ndarë qëndrimet e saj në rrjetet sociale, shpeshherë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të guximshme. Kjo e ka kthyer në një figurë polarizuese, duke marrë njëkohësisht mbështetje të madhe dhe kritika të ashpra.
Vendimi për të shkarkuar Levy-n vetëm sa forcon imazhin e saj si një artiste e përkushtuar dhe me integritet, e gatshme të mbrojë bindjet e saj, edhe kur kjo nënkupton përplasje me ekipin e saj më të afërt.
Tani mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e karrierës së saj në një moment kyç, kur Dua Lipa pritet të publikojë muzikë të re dhe të nisë një turne ndërkombëtar, që konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e saj deri më tani.
Top Channel