Aktorja e famshme, Salma Hayek, ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Hollywood. Por si çdo aktor me përvojë, edhe ajo ka projekte të cilat do të donte të mos i kishte bërë.
Gjatë një interviste për “The Guardian”, Hayek ka pranuar se një nga pendesat e saj më të mëdha profesionale është filmi “Everly” i vitit 2014.
“Nuk dua të flas për këtë. Nuk është ajo që mendoja se do të ishte. Dua që të zhduket”, u shpreh aktorja e famshme me sinqeritet, duke lënë të kuptohet se pritjet e saj për filmin kishin qenë tërësisht të ndryshme nga rezultati përfundimtar.
Kujtojmë se filmi “Everly” është një triller aksion me ngjarje të përqendruar në një apartament ku personazhi i Hayek lufton për jetën, nuk u prit mirë as nga publiku dhe as nga kritika. Ai debutoi fillimisht në iTunes në fillim të vitit 2015, përpara se të shfaqej në disa kinema të përzgjedhura, një mënyrë shpërndarjeje që sot është bërë më e zakonshme, por që atëherë nuk i solli suksesin e dëshiruar.
Salma Hayek e nisi karrierën e saj në televizionin meksikan, përpara se të depërtonte në Hollywood me filmin “Desperado” përkrah Antonio Banderas në vitin 1995. Që atëherë, ajo ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të respektuar, pavarësisht disa projekteve më pak të suksesshme.