E ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkolli, Arbër Çepani dhe Lei Kraja ka qenë këngëtarja e mirënjohur, Rozana Radi. Ndër të tjera, ajo njihet mjaft mirë edhe si aktore dhe autore tekstesh, ku numëron shumë tekste të shkruara në industrinë muzikore shqiptare.

Karriera e saj disa vjeçare ka bërë që Rozana të njihet edhe për karakterin e saj mjaft të fortë dhe gjithmonë është cilësuar si një artiste pa komplekse.

Në natën finale të festivali “Kënga Magjike”, Rozana Radi dhe Sany kanë arritur të fitojnë vendin e parë me performancën e tyre të paharrueshme. Ky sukses i siguroi atyre vendin e titulluar si fitues të edicionit të këtij viti, duke lënë pas konkurrentët e tjerë të fortë.

Gjatë intervistës edhe Sany u bashkua në studio, i cili iu përgjigj disa pyetjeve pikante të bëra nga komentuesit në lidhje me të dhe Rozanën. Një ndër të cilët është diskutuar më shumë, ishte ai se Rozana dhe Sany janë në një lidhje, por nga të dy artistët u shpreh edhe njëherë se ishte vetëm kimia gjatë performancës.

Përveç kësaj, shumë të tjerë komentuan faktin se artistja erdhi me një këngë greke. Edhe për këtë temë shumë të diskutuar, Rozana pati një përgjigje:

Respektoj çdo gjuhë të të gjithë shteteve të ndryshme të botës. Siç kanë bërë të gjithë artistët, kam dëshirë të bëj edhe unë. Të promovoj kulturën e vendit tim në Greqi, siç bëri edhe Sany. Promovoi kulturën e vendit të tij në Shqipëri. Është mirë të promovojmë. Është mirë të bëhemi promotorë. Është mirë të bashkojmë. Është e mira të duam njerëzit. Unë e kam bërë edhe në statusin tim, kam thënë që ‘kemi mësuar në këtë jetë të fluturojmë, kemi mësuar në këtë jetë të notojmë si peshqit, ngrihet avioni gjithë ai hekur në qiell, dhe nuk dimë të pranojmë një shtet tjetër. Duhet të mësojmë të duam njëri-tjetrin”.

Arbër Çepani e mbështeti këtë deklaratë, por përmendi faktin se ekziston ende paragjykimi kur ne i promovojmë, dhe nuk kthehet mbrapsht në të njëjtën mënyrë. E pyetur nëse ndodh e anasjellta, ajo u përgjigj:

Kjo ndodh, sepse shqiptarët punojnë e jetojnë shumë në Greqi dhe sigurisht që atje dëgjohet vetëm nga shqiptarët muzika jonë. Këtu ndodh më tepër që ne promovojmë jo vetëm muzikën greke, por edhe muzikën italiane. Duke qenë se shqiptarët jetojnë në Greqi dhe vijnë këtu dhe sigurisht sjellin muzikën e tyre me vete dhe kjo është e pandalshme. Por unë do të thoja që mirë do të ishte sikur ta promovonin pak më tepër edhe ata, edhe Italia. Për shembull, ne kemi Ermal Metën, i cili këndoi në Sanremo dhe fitoi me një këngëtar italian”. /TAR/