Gazetarja e njohur, Iva Tiço, ishte një ditë më parë e ftuar në rubrikën “Trotuar” në “E Diell”, ku ka folur për fillimet e saj të lidhjes me partnerin, me të cilin tashmë është e martuar.
Tiço u shpreh se në fillimet e bashkëjetesës, zënkat nisin për përshtatjen e stileve të jetesës. Ajo shton se me kalimin e kohës mësohesh me këto dhe nis duke i shmangur.
Madje gazetarja ka treguar edhe ‘sherrin banal’ me partnerin e saj, i cili u zgjidh me vendosjen e një televizori në dhomën e gjumit.
Pjesë nga intervista:
Nevina: Iva, dilema më e madhe që kanë çiftet, sidomos çiftet e reja, është si të shmangin këto zënkat. Në një raport të konsoliduar tuajin, sepse keni vite tashmë dhe bashkëjetesa lehtëson pak
Iva: Unë mendoj se edhe arsyet se pse ne bëjmë sherr, zënka në familje ndryshojnë me kalimin e moshës, me përshtatjen e çiftit
Nevina: Në fillimet e tuaja cilat kanë qenë ato debatet më të tepërta?
Iva: Në fillimet e bashkëjetesës është përshtatja, është përshtatja e stileve të ndryshme të jetes, ndoshta oraret, gjërave komplet të tjera. Por pastaj mendoj se me kalim e kohës duhet ta them pak në mënyrë banale, duhet të jesh shumë budalla të vazhdosh të bësh sherr për të njëjtat gjëra për shumë vite.
Nevina: Bën kompromis, arrin në një pikë të përbashkët?
Iva: Jo, thjesht nuk dëgjon dhe nuk të bën përshtypje. Mësohesh dhe di ta shmangesh. Të paktën unë vetë di të shmang gjërat që e di që mund të përfundojnë në zënka, sherre. Dy vitet e para të bashkëjetesës nuk ishin dhe aq të thjeshta.
Nevina: Cila ishte vështirësia më e madhe që ju të përshtateshit?
Iva: Gjëra oraresh, probleme që unë në darkë jam mësuar të bëj diçka, ai të bëjë diçka tjetër.
Nevina: Si e arrin balancën?
Iva: Ishte një problem shumë banal që ne na bënte për të bërë sherr. Unë nuk kisha televizor në dhomë dhe e gjitha u zgjidh pasi blemë një televizor. Unë isha mësuar dhe doja të lexoja, prej gjithë jetës kam lexuar. Bashkëshorti im donte të shikonte televizor dhe donte të rrinte me mua, thoshte ‘është i vetmi moment që mund të rrimë bashkë’. Derisa futja e televizorit na i zgjodhi të gjitha, ai sheh me kufjet, unë vazhdoj e lexoj derisa më zë gjumi.




