Një burrë që sapo ishte martuar dhe së bashku me bashkëshorten e tij kishin zgjedhur të shkonin në Rodos për pushime, ka rrëfyer se si iu shkatërrua muaji i mjaltit prej 4000 paund për shkak të zjarrit që ka përfshirë vendin.

Michael Mallon, një irlandez që jeton në Suedi, ishte në një hotel me pesë yje në Greqi, pasi u martua me gruan e tij Louise. E teksa po shijonin ditët e para si të martuar, ata e gjeten veten ‘në mes të zjarreve’ që po shkatërronin ishullin.

Ata kishin vetëm dy ditë aty dhe u detyruan që të iknin së bashku me pushuesit e tjerë. Këtë skenë, Michael e ka krahasuar me evakuimin e Dunkirkut gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ishte një ditë e çmendur, vrapuam për rreth 8 kilometër për të arritur në zonën ku na thanë të shkonim në mesazhin e evakuimit”, tha ai, duke iu referuar një alarmi të telefonit të tij nga qeveria greke më 20 korrik.

Sipas tij, rreth 5000 njerëz ishin mbledhur në pikën e takimit në fshatin Gennadi në jug të ishullit, rreth 25 minuta me makinë më në jug se qyteti i Lindos.

“Arritëm atje dhe nuk kishte asnjë udhëzim apo asgjë. Elektriciteti ishte prishur, kështu që ishte errësirë. Zjarri u përhap më pas dhe po vinte drejt zonës së evakuimit. Na thanë se autobusët po vinin për të na lëvizur, por asgjë nuk erdhi”, ka shtuar ai.

Burri ka treguar se pas mesnatës, teksa zjarri po afrohej drejt zonës së evakuimit, kanë shkuar varka për t’iu ardhur në ndihmë atyre.

Michael dhe Louise, të cilët ishin së bashku me disa miq, kanë shkuar më pas në një hotel tjetër dhe më 26 korrik kanë fluturuar drejt Stokholm.

Ndërkohë Michael shpreson se sigurimi i tij i udhëtimit mund ta ndihmojë atë të rikuperojë disa nga 4000 paund që ai dhe Louise kanë paguar.