Ylli i muzikës pop Jennifer Lopez dhe ish-bashkëshorti i saj, aktori Ben Affleck thuhet se janë në një mosmarrëveshje lidhur me mënyrën e menaxhimit të shitjes së rezidencës së tyre martesore në Beverly Hills, Kaliforni, e cila është në treg prej gati nëntë muajsh. Sipas burime për TMZ, Affleck, është shprehur i gatshëm të ulë çmimin e rezidencës për ta hequr sa më shpejt qafe nga duart e tyre, derisa Lopez ende shpreson të gjejë një blerës që do të paguajë çmimin e plotë.
Thuhet se nuk ka pasur interes serioz për pronën që nga fillimi i vitit. Çifti finalizoi divorcin në janar. Ish-çifti e nxori në shitje vilën në korrik të vitit 2024, pasi më parë kishin tentuar ta shisnin në mënyrë diskrete. Ata kishin pranuar një ofertë prej 64 milionë dollarësh në shtatorin e kaluar, por blerësit e mundshëm u tërhoqën nga marrëveshja përpara finalizimit. Lopez dhe Affleck blenë fillimisht pronën e cila përfshin 12 dhoma gjumi dhe 24 banjo për 60.85 milionë dollarë në qershor 2023, pothuajse një vit pasi u martuan në mënyrë të fshehtë në Las Vegas.
Ndërkaq, sjellim në vëmendje se Jennifer Lopez mund të përfshihet në mënyrë indirekte në procesin gjyqësor ndaj reperit Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me akuza serioze për shantazh, trafikim njerëzor për shfrytëzim seksual dhe përfshirje në veprime të lidhura me prostitucionin. Prokurorët po kërkojnë të paraqesin si provë një incident të vitit 1999 në një klub nate në Nju Jork, ku ishin të pranishëm edhe Diddy dhe Lopez.
Ngjarja përfshinte të shtëna zjarri që lanë të plagosur tre persona. Pas incidentit, çifti i atëhershëm u ndalua nga policia teksa udhëtonin nëpër Manhattan dhe në automjetin e tyre u gjet një armë e vjedhur. Rikujtojmë se Ben Affleck më në fund ka thyer heshtjen për divorcin e tij nga Lopez. Në një intervistë për kopertinën e prillit të “GQ”, ai tregoi të vërtetën e tij, duke mohuar thashethemet dhe duke sqaruar se nuk kishte skandale, apo drama pas përfundimit të martesës së tyre.