I arrestuari për dosjen hetimore “Plumbi i Artë”, Asllan Plaku është ankuar këtë të enjte gjatë seancës gjyqësore, për transferimin e tij nga burgu i Durrësit, në atë të Burrelit. Sipas të pandehurit, ky transferim vështirëson ardhjen në çdo seancë, pasi janë dy orë rrugë.

Ai pretendoi se ende nuk ka dosjen, element ky që i vështirëson mbrojtjen, ndërsa shtoi para togave të zeza se avokatin që i kanë caktuar, nuk e njeh. Prokurori Behar Dibra dhe gjykata thanë se pretendimet e tij i dëgjojnë për herë të parë në sallë dhe se ato do të verifikohen.

“Më fusin në ato furgonët zhul. Javës tjetër më çojnë në Drenovë. Duan të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës”, u shpreh Asllan Plaku.

Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur.

Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.