Rivaliteti i madh mes dy yjeve të rinj të tenisit, Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner, nuk po kufizohet vetëm në fushën e lojës. Sipas raportimeve të fundit, të dy po përfliten se janë në lidhje me të njëjtën modele, duke e shtuar edhe më shumë kuriozitetin e publikut rreth tyre.
Alcaraz dhe Sinner u përballën për të tretën herë radhazi në një finale Grand Slam javën e kaluar në US Open, duke dhuruar një tjetër ndeshje spektakolare për sportdashësit. Pas katër setesh të forta, Alcaraz arriti të triumfojë me shifrat 6-2, 3-6, 6-1, 6-4, duke e rrëzuar rivalin e tij nga froni si numri një i botës.
Ky ishte titulli i gjashtë Grand Slam për Alcaraz, dhe i dyti i fituar në Nju Jork. Përveç lavdisë sportive, 22-vjeçari u shpërblye edhe me një shumë marramendëse prej pesë milionë dollarësh.
Ndërkohë që tifozët po flasin për paraqitjet e tyre mbresëlënëse në fushë, mediat britanike dhe amerikane po raportojnë se Alcaraz dhe Sinner ndajnë diçka më shumë se rivalitetin sportiv – interesin për të njëjtën modele të njohur. Ky detaj ka ndezur edhe më shumë vëmendjen e publikut ndaj dyshes që pritet të dominojë tenisin botëror për vitet e ardhshme.
Sipas “Page Six”, pas suksesit në fushë u zbulua se Alcaraz është në një lidhje me modelen e “Sports Illustrated”, Brooks Nader, e cila më herët ishte përfolur për një romancë me Sinner-in.
Madje, raportimet thonë se Nader është takuar me të dy finalistët e US Open-it në të njëjtën kohë – një situatë që i ngjan filmit të famshëm “Challengers”.
Ky zhvillim e ka bërë rivalitetin mes Alcaraz dhe Sinner të flitet edhe më shumë, jo vetëm për atë që ndodh në fushë, por edhe jashtë saj.
Por në një paraqitje në show-n e Jimmy Kimmel, Nader hodhi poshtë thashethemet për një lidhje me Sinner-in. Nga ana tjetër, gazetari spanjoll Alberto Guzman ka cituar burime të brendshme të Alcaraz-it që kanë thënë se ‘ata nuk janë në një marrëdhënie, nuk është lidhje zyrtare’.
Pavarësisht këtyre reagimeve ku mohohet të ketë patur një lidhje dashurie, historia e trekëndëshit të mundshëm mes Alcaraz, Sinner dhe Brooks Nader vazhdon të përflitet gjerësisht në media, duke e bërë këtë rivalitet të dyfishtë – sportiv dhe personal.