Një ngjarje e pazakontë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka krijuar një paradoks të rrallë: dy vëllezër binjakë kanë lindur me 31 minuta diferencë, por sipas dokumenteve zyrtare, ai që erdhi i dyti në jetë rezulton më i madhi. Historia e Samuel dhe Ronan Peterson ka ndodhur në Massachusetts, pikërisht gjatë natës kur akrepat e orës u kthyen një orë pas për shkak të kalimit në orarin dimëror.
Samuel, të cilin familja e thërret Sam, lindi në orën 01:39 të mëngjesit. Vëllai i tij, Ronan, erdhi në jetë 31 minuta më vonë. Por pikërisht gjatë kësaj periudhe, ora u kthye nga 02:00 në 01:00, duke krijuar një situatë të pazakontë në regjistrimin e lindjeve.
Si rezultat, Ronan u regjistrua zyrtarisht si i lindur në orën 01:10, plot 29 minuta përpara Samuelit. Prindërit, Emily dhe Seth Peterson, mbetën të habitur nga kjo rastësi. Babai ishte i pari që kuptoi çfarë kishte ndodhur, ndërsa nëna ishte e përqendruar te lindja. Çifti e priti me humor këtë situatë të rrallë, e cila do të mbetet një histori e veçantë familjare. Kështu, Samuel është vëllai i madh në të vërtetë, ndërsa Ronan rezulton më i madh sipas orës së shënuar në dokumente.



