Aktorët e serialit të famshëm, “Friends”, u bashkuan këtë javë për një homazh prekës për bashkë-yllin e tyre të ndjerë, Matthew Perry, i cili vdiq tragjikisht dy vjet më parë nga një mbidozë droge në moshën 54-vjeçare.

Jennifer Aniston, 56 vjeçe, Courteney Cox, 61 vjeçe, Matt LeBlanc, 58 vjeç, Lisa Kudrow, 62 vjeçe, dhe David Schwimmer, 59 vjeç, kontribuuan të gjithë në një koleksion të veçantë veprash arti që do të mbledhë para për bamirësi gjatë sezonit festiv.

Ishte Fondacioni Matthew Perry që ndau disa imazhe prekëse në “Instagram” të secilit prej aktorëve duke nënshkruar printime të gjalla dhe shumëngjyrëshe të frymëzuara nga kënga ikonike e serialit “Friends”.

Është pjesë e një bashkëpunimi me “Soundwaves Art” dhe artistin Tim Wakefield.

Fotot në fjalë tregojnë aktorët e famshëm duke shtuar autografet e tyre në veprat e artit, me edicion të kufizuar që transformuan valët zanore të këngës kryesore të serialit “Friends” në dizajne vizuale mahnitëse.

Printimet e firmosura shiten për 600 dollarë, ndërsa ato pa firmë shiten për 100 dollarë.

Ndërkohë fondacioni shkroi bashkëngjitur me fotot:

“Lajm emocionues! Kasti është bashkuar me ‘Soundwaves Art’ dhe artistin Tim Wakefield për një koleksion shumë të veçantë veprash arti këtë sezon festash.

Tim ka transformuar valët zanore të këngës kryesore të serialit “Friends” në këto dizajne të bukura, secila e frymëzuar nga një personazh i ndryshëm, dhe secili anëtar i kastit ka lënë autograf në serinë e tij të vogël të veprave të artit.

Dhe në bashkëpunim me trashëgiminë e Matthew Perry, kemi prodhuar një botim shumë të kufizuar veprash arti, të stampuara me firmën zyrtare të Matthew.

Të gjitha fitimet do të shkojnë në mbështetje të bamirësive të zgjedhura nga kasti, përfshirë Fondacionin Matthew Perry dhe punën e tyre në ndihmë të atyre që luftojnë me sëmundjen e varësisë”.

Fansat e serialit “Friends” u prekën nga ky projekt i veçantë dhe menjëherë komentuan:

“Mendoj se do të qaj, më mungon shumë”.