Aktori i njohur, Julian Deda, ka ndarë me ndjekësit një nga postimet më të ndjera, duke kujtuar babain e tij, artistin e mirënjohur Zef Deda, në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta.

Juli publikoi në rrjetet sociale një foto të ngrohtë familjare, ku shfaqet përkrah të atit, ndërsa dedikimi që e shoqëron foton ka prekur shumë ndjekës.

“Dy vjet pa ty zemra ime, heroi im. Gjithmonë do jesh më i miri dhe njerëz si ti janë gjithmonë në paqe me Zotin. Të dua shumë, Babo…” – shkruan aktori, duke shprehur mallin e thellë për figurën më të rëndësishme të jetës së tij.

Postimi ka marrë menjëherë reagime të shumta, me njerëz që i shprehin ngushëllime dhe e mbështesin, duke ndarë po ashtu histori personale mbi humbjet e tyre.

Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Zef Deda mbetet një nga emrat më të dashur dhe më të ndritur të humorit shqiptar, një artist që nuk solli vetëm të qeshura, por edhe kulturë, finesë dhe një stil unik interpretimi.

Me zërin, mimikën dhe spontanitetin që vetëm ai mund t’i bashkonte në një skenë, Zef Deda u bë një simbol i humorit të pastër shkodran, i atij lloj arti që prekte zemrën pa pasur nevojë për fjalë të mëdha. Ai i dha skenës shqiptare një energji të veçantë, të pakthyeshme, duke lënë pas role të paharrueshme që edhe sot rikthejnë buzëqeshjen tek breza të tërë.