Kanë kaluar dy vite nga vdekja tragjike e Leandro Anthony De Niro-Rodriguez, nipit të aktorit të famshëm Robert De Niro.

Autoritetet amerikane kanë bërë pesë arrestime të reja në lidhje me rrjetin që furnizonte me drogë adoleshentët dhe të rinjtë në Nju Jork.

19-vjeçari ishte djali i Drena De Niro, vajza e adoptuar e aktorit. Ai u gjet i vdekur më 2 korrik të vitit 2023, në apartamentin e tij, pas një mbidoze të dukshme me drogë, që më vonë u zbulua se përmbante fentanil, një substancë jashtëzakonisht e rrezikshme që ka shkaktuar mijëra vdekje në SHBA vitet e fundit.

Ndërkohë mediat e huaja shkruajnë se pesë burrat e arrestuar, Grant McIver, Bruce Epperson, Eddie Barretto, John Nicholas dhe Roy Nicholas akuzohen për pjesëmarrje në një rrjet kriminal që shpërndante pilula të falsifikuara opioide, të përziera me fentanil dhe substanca të tjera, me qëllim tregtimin e tyre te të rinjtë.

Prokuroria federale ka bërë të ditur se këto pilula kishin shkaktuar vdekjen e tre 19-vjeçarëve, përfshirë edhe Leandro-n. Hetimet zbuluan se grupi shpërndante mijëra pilula nëpër lagjet e Nju Jorkut, duke i shitur shpesh nëpërmjet kontakteve të rrjeteve sociale dhe shpërndarësve lokalë.

Vetëm disa javë pas vdekjes së Leandro-s, u arrestua edhe Sofia Marks, një grua e dyshuar se i kishte shitur pilulat që i morën jetën të riut. Sipas dokumenteve të hetimit, Marks kishte lidhje direkte me një pjesë të grupit që tani është arrestuar.

Në momentin e gjetjes, një mik i Leandro-s kishte lajmëruar autoritetet pasi nuk kishte arritur të kontaktonte me të për disa ditë. Policia, pasi hyri në apartament, gjeti trupin pa shenja jete dhe substanca të dyshimta në afërsi.

Pas vdekjes së nipit, Drena De Niro reagoi me dhimbje të thellë, duke ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale ku e përshkroi djalin e saj si “dritën e jetës sime”. Edhe Robert De Niro, përmes një deklarate për mediat, kërkoi privatësi për familjen dhe shprehu tronditjen për “humbjen e parakohshme të një jete të re të mbushur me premtime”.

Fentanili është një opioid sintetik shumë më i fuqishëm se heroina apo morfina. Ai përdoret ligjërisht për qëllime mjekësore, por shpesh përzihet në mënyrë ilegale në pilula dhe substanca të tjera, pa dijeninë e përdoruesve, duke shkaktuar mbidoza fatale. Vetëm në SHBA, mbi 70% e vdekjeve nga mbidoza lidhen me përdorimin e fentanilit.