Një 46-vjeçare nga Uellsi po përjeton ditë ankthi, pasi pretendon se bileta e saj fituese e lotarisë, me vlerë 12 milionë paund, është hedhur gabimisht në kosh nga një punonjës dyqani. Kath Main thotë se kuptoi se çmimi i madh i shortit të 6 qershorit nuk ishte tërhequr ende, kur pa se numrat fitues përputheshin me kombinimin që ajo luan prej 20 vitesh.

Sipas saj, bileta ishte dërguar nga nëna e saj në një dyqan për t’u verifikuar, ku punonjësi i kishte thënë se nuk ishte fituese. Duke besuar se nuk kishte asnjë vlerë, bileta u hodh në kosh dhe më vonë mbeturinat u larguan, duke e bërë të pamundur rikuperimin e saj. “Ndjehem keq gjatë gjithë kohës. Pjesa më e vështirë është të mos dish çfarë do të ndodhë,” tha Kath, nënë e dy fëmijëve dhe arkëtare e një klubi regbie.

Ajo shpjegon se është nëna e saj ajo që luan çdo javë të njëjtët numra. Vetëm pasi lexoi në media se çmimi i madh nuk ishte tërhequr, kontrolloi kombinimin dhe kuptoi se përputhej me numrat e saj. Pas incidentit, Kath kontaktoi operatorin e Lotarisë Kombëtare, duke paraqitur prova, përfshirë faturën e blerjes dhe pamje nga një kamerë sigurie e një biznesi pranë dyqanit, ku shihet nëna e saj duke hyrë për të verifikuar biletën.

Ajo dyshon se mund të ketë pasur një problem teknik me pajisjen e verifikimit, ndërsa operatori i lotarisë nuk e përjashton mundësinë e një gabimi njerëzor, edhe pse e konsideron pak të mundshëm një defekt të aparatit. Pronari i dyqanit deklaroi se terminali mund të ketë pasur probleme dhe se autoritetet kanë nisur një hetim. Përkohësisht, aktiviteti i lotarisë në atë pikë është pezulluar, ndërsa terminali dhe kartelat e gërvishtjes janë tërhequr deri në përfundim të verifikimeve.

Operatori i Lotarisë Kombëtare ka bërë të ditur se hetimi mund të zgjasë deri në 30 ditë. Sipas rregullave të saj, kjo është e vetmja lotari e madhe që u jep mundësi lojtarëve të kërkojnë çmimin edhe në rast se bileta fituese është humbur, vjedhur ose shkatërruar. Nëse pretendimi i Kath Main rezulton i vërtetë, ajo thotë se një nga ëndrrat e saj do të ishte të udhëtonte në Zelandën e Re për të ndjekur turneun e regbisë “Lions” në vitin 2029.