Regjisori e aktori legjendar i Hollywood-it, Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele, janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Los Angeles.
Mediat e huaja shkruajnë se autoritetet po e hetojnë incidentin si një vrasje, ndërsa policia mbërriti në shtëpinë e çiftit pasditen e së dielës, në lagjen luksoze Brentwood.
Policia informoi se gjeti një 78-vjeçar dhe një grua 68-vjeçare, të cilët u shpallën të vdekur në shtëpi, ndërsa njoftoi se aktualisht nuk është në kërkim asnjë i dyshuar.
Reiner është i njohur për regjinë e filmave klasikë si “The Princess Bride”, “This is Spinal Tap”, “When Harry Met Sally”, “Misery” dhe “A Few Good Men”.
Zëvendësshefi i policisë, Alan Hamilton, tha se të dy trupat kishin qëndruar brenda shtëpisë, më shumë se gjashtë orë pasi policia dhe zjarrfikësit ishin thirrur.
Hamilton deklaroi se shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga zyra e mjekut ligjor të Los Angeles.
Ndërkohë një zëdhënës i familjes së Reiner, i cili konfirmoi vdekjen e tyre, kërkoi ‘privatësi gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë’.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi zemërthyer nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, tha zëdhënësi i familjes.
Reiner ishte një nga regjisorët më të njohur të Hollywood-it dhe bashkëthemeloi kompaninë e suksesshme të prodhimit “Castle Rock Entertainment”.
Ai e filloi karrierën e tij në vitet 1960 dhe u bë i famshëm duke luajtur rolin e Meathead në komedinë “All in The Family” në vitet 1970, e cila i siguroi dy çmime Emmy.
Regjisori u martuar me aktoren Penny Marshall nga viti 1971 deri në vitin 1981 dhe është babai adoptues i vajzës së Marshall, aktores Tracy Reiner.
Ai u martua me Michele Reiner, një aktore dhe fotografe, në vitin 1989. Çifti ka tre fëmijë së bashku.


