Një udhëtim në Arktik është shndërruar në tragjedi për një turiste 57-vjeçare nga Bjellorusia, e cila u zhduk pasi u mor nga rryma e një lumi gjatë një aktiviteti të quajtur “ice floating”, i promovuar si terapi relaksuese dhe përfitim shëndetësor. Ngjarja ndodhi në lumin Tuloma, pranë qytetit Kola, në jug të Murmanskut, gjatë festimeve të Vitit të Ri. Gruaja ishte pjesë e një grupi të organizuar turistik që kishte udhëtuar drejt veriut ekstrem të Rusisë për të përjetuar aktivitetin e notimit mbi ujëra të akullta, duke veshur kostume speciale termoizoluese.
Turistja kishte qëndruar në ujë për rreth 40 minuta kur papritur u shkëput nga zona e kontrolluar dhe u mor nga rrymat e forta nënujore. Operacionet e kërkimit janë përballur me vështirësi ekstreme për shkak të temperaturave deri në -30 gradë Celsius, mjegullës së dendur dhe errësirës së plotë të natës polare.
Banorë lokalë kanë paralajmëruar se segmenti i lumit ku zhvillohet ky aktivitet është i rrezikshëm për shkak të ndryshimeve të papritura të rrymave dhe ndikimit të baticës nga deti. Dyshohet se momenti i zhdukjes përkoi me një fazë të rrezikshme të lëvizjes së ujit.
Autoritetet ruse kanë deklaruar se shanset për mbijetesë janë minimale dhe gruaja konsiderohet e vdekur. Komiteti Hetimor i Rusisë ka nisur procedim penal ndaj organizatorit të aktivitetit, duke theksuar se pajisjet e përdorura nuk përmbushnin standardet e sigurisë. Kostumet termoizoluese janë sekuestruar për ekspertim teknik.
Aktiviteti “ice floating” është promovuar vitet e fundit si përvojë unike relaksi dhe shëndeti, me pretendimin se rreziku për mbytje është pothuajse zero.



