Një 32-vjeçare në Britaninë e Madhe ka mbetur e plagosur rëndë pasi u sulmua nga qeni që kishte adoptuar vetëm tre javë më parë përmes një njoftimi në Facebook. Charlotte Potts, trajnere personale nga Hexham, Northumberland, kishte marrë në kujdestari një qen njëvjeçar të racës Cane Corso të kryqëzuar me American Bulldog. Sipas saj, gjatë javëve të para kafsha ishte përshtatur mirë me familjen dhe nuk kishte shfaqur asnjë shenjë agresiviteti.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 4 korrikut, gjatë një shëtitjeje rutinë në një park të mbyllur për qen. Teksa po luanin me top, qeni ndryshoi papritur sjellje dhe iu hodh 32-vjeçares, duke i kafshuar këmbët dhe duke i shqyer rrobat. Gruaja i bërtiti vëllait të saj 8-vjeçar të largohej dhe të kërkonte ndihmë, ndërsa përpiqej të mbrohej nga sulmi. Më pas qeni e kafshoi edhe në krahun e djathtë, por Charlotte arriti ta lidhte me zinxhir pas një gardhi duke përdorur dorën tjetër.

Sulmi zgjati rreth tetë minuta. Pas mbërritjes së policisë dhe ekipeve të emergjencës, qeni nuk mundi të vihej nën kontroll dhe u eutanazua në vend. 32-vjeçarja u transportua me ambulancë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo pësoi dëmtime të rënda në këmbë dhe në muskulin e krahut dhe do t’i duhet të ndjekë trajtim të vazhdueshëm.

Charlotte tha se beson se i mbijetoi sulmit falë përvojës së saj në kick-box dhe kërkon që rasti i saj të shërbejë si ndërgjegjësim për rëndësinë e vlerësimit të plotë të qenve përpara se të riadoptohen. Pak javë para incidentit, policia kishte kontrolluar qenin pas një denoncimi anonim, për të verifikuar nëse ai i përkiste racës së ndaluar XL Bully. Pas verifikimeve, autoritetet kishin përcaktuar se bëhej fjalë për një American Bulldog të kryqëzuar dhe nuk kishin ndërmarrë masa për largimin e tij.