Aktori, regjisori i teatrit dhe artisti vizual francez, Arnaud Denis, ka marrë vendimin të përfundojë jetën e tij në Belgjikë përmes vetëvrasjes së asistuar, në moshën 43-vjeçare. Vendimi i tij lidhet me vuajtjet e gjata dhe të rënda shëndetësore që, sipas tij, nisën pas një operacioni për hernie inguinale tre vite më parë, i cili i la pasoja serioze dhe një përkeqësim të vazhdueshëm fizik, duke ia bërë të pamundur një jetë normale.

Në një intervistë për gazetën franceze L’Est Républicain, Denis u shpreh se gjendja e tij kishte degraduar ndjeshëm, duke e izoluar plotësisht nga jeta shoqërore dhe profesionale. “Nuk mund të dal më nga shtëpia. Nuk kam jetë shoqërore. Nuk kam më jetë fare. Kam humbur gjithçka që përbën dinjitetin njerëzor dhe gjendja ime vetëm sa po përkeqësohet. Mjekët nuk kanë më asgjë për të më ofruar,” deklaroi ai.

Aktori tregoi se në vitin 2023 kishte instaluar një implant, një lloj proteze, e cila më pas u hoq në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2024, për shkak të komplikacioneve serioze dhe efekteve anësore të forta. Edhe pse ky ndërhyrje kirurgjikale konsiderohet e thjeshtë për shumicën e pacientëve, sipas Le Monde, një përqindje e vogël përjeton pasoja të rënda.