DJ i famshëm holandez, Martin Garrix, ka ndarë një lajm të papritur me fansat duke njoftuar se nuk do të mund të performojë këtë fundjavë në ‘Festival Internacional Del Globo’ në Meksikë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Garrix shprehu keqardhjen e thellë për anulimin e performancës, duke treguar se është detyruar të qëndrojë në pushim mjekësor pas një rasti të papritur të apendesitit dhe operacionit që pasoi.

“Me zemër të thyer duhet ta ndaj këtë lajm, për shkak të një rasti të papritur të apendesitit dhe operacionit që kam bërë, nuk mund të performoj këtë të shtunë në Meksikë. Mjekët dhe ekipi im më kanë këshilluar fuqishëm të pushoj dhe të rikuperohem për të shmangur komplikimet pas operacionit”, shkroi ai. Artisti theksoi se nuk ka qenë një vendim i lehtë, pasi ka kujtime të mrekullueshme nga performancat e tij të mëparshme në Meksikë.

“Kam disa nga kujtimet më të bukura të karrierës sime duke performuar në këtë vend të jashtëzakonshëm”, shtoi DJ. Garrix falënderoi publikun për dashurinë dhe mirëkuptimin, duke shtuar se kjo situatë i ka kujtuar se, pavarësisht suksesit, ai është ‘njerëzor’ dhe trupi ka nevojë për kohë për t’u shëruar. “Ky është një kujtim i mirë për mua se jam njeri dhe trupi im ka nevojë për pak kohë për t’u rikuperuar siç duhet. Do të kthehem shumë shpejt, premtoj”, përfundoi DJ.