Një ngjarje e trishtë ka prekur tifozët e Skocisë në Botërorin 2026, pasi Donny Strathie, 76 vjeç, humbi jetën në Boston, ku kishte udhëtuar për të ndjekur nga afër kombëtaren e zemrës në rikthimin historik në Kupën e Botës. Strathie, nga Grangemouth, ishte një nga mijëra tifozët që kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara për të mbështetur Skocinë. Ai ndërroi jetë më 14 qershor, vetëm disa orë pasi kishte festuar fitoren 1-0 të skuadrës së tij ndaj Haitit në ndeshjen hapëse të grupit.
Sipas familjarëve, ndjekja e Skocisë në një Botëror ishte ëndrra e tij më e madhe. Ai kishte siguruar bileta edhe për ndeshjen e dytë kundër Marokut më 19 qershor, por nuk arriti ta shihte. Familja e tij ka bërë thirrje që gjatë ndeshjes Skoci-Marok të mbahet një minutë duartrokitje në minutën e 76-të, në nder të moshës së tifozit që u nda nga jeta.
Vajza e tij, Cheryl, publikoi një mesazh emocionues në rrjetet sociale duke kërkuar mbështetjen e tifozëve për këtë homazh. Ndërkohë, dhjetëra mesazhe ngushëllimi kanë vërshuar në internet, ku Donny përshkruhet si një zotëri i vërtetë, mik i mirë dhe tifoz i përkushtuar.



