Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Peru, ku një oficer i ri policie ka humbur jetën pasi ka konsumuar pa e ditur një kos të helmuar që ishte sekuestruar nga autoritetet si provë në një hetim. Jose William Perez Cubas, 22 vjeç, ishte në shërbim në një komisariat në qytetin Aguaytia, në rajonin e Amazonës peruane, kur gjatë pushimit të tij konsumoi produktin që përmbante një substancë toksike.
Pak minuta pasi e kishte ngrënë kosin, i riu filloi të shfaqte shenja të rënda shqetësimi fizik dhe gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi. Kolegët ndërhynë menjëherë dhe thirrën shërbimet e emergjencës, ndërsa polici u dërgua me urgjencë në spital. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë.
Sipas mediave lokale, kavanozi i kosit ishte sekuestruar disa ditë më parë nga policia gjatë një hetimi për vdekjen e një qytetari që dyshohet se kishte konsumuar të njëjtin produkt të përzier me helm. Raportimet paraprake sugjerojnë se personi i parë që humbi jetën mund ta ketë përzier vetë produktin me një substancë toksike.
Autoritetet kanë ngritur dyshime se prova nuk ishte ruajtur dhe izoluar në mënyrë të duhur në ambientet e policisë, duke lejuar kështu që ajo të konsumohej aksidentalisht. Pas ngjarjes, hetuesit dhe prokurorët kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e sakta të vdekjes së policit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë mbi mënyrën se si ishte ruajtur prova.



