E rrethuan, e fyen dhe e dhunuan brutalisht, duke vazhduar ta godisnin edhe kur kishte përfunduar përtokë. E gjithë skena, natyrisht, u filmua. Videoja e dhunës ndaj një vajze të mitur në Mirandola, në provincën e Modenës, më 17 tetor, u bë virale brenda pak kohësh. Për këtë ngjarje, janë proceduar penalisht dy 14-vjeçare dhe një vajzë edhe më e vogël, 11 vjeçe, e cila për shkak të moshës nuk mund të mbajë përgjegjësi penale.
Grushte, shuplaka dhe shkelma pa mëshirë. Kjo ishte skena e dhunshme që ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit në rajonin Emilia-Romagna. Sipas raportimeve të gazetave Gazzetta di Modena dhe Il Resto del Carlino, një grup vajzash, më të rriturat rreth 16 vjeçe, kishin lënë takim për t’u takuar, ndoshta për të sqaruar një konflikt mes tyre. Megjithatë, diskutimi përfundoi shpejt në një sulm të mirëfilltë fizik ndaj njërës prej vajzave, e cila u tërhoq zvarrë nga flokët dhe u hodh përtokë.
Viktima thuhet se u përpoq të mbrohej duke u mbledhur kruspull, por vajzat e tjera nuk u ndalën dhe vazhduan ta godisnin. Disa të rinj të tjerë e panë skenën, por askush nuk ndërhyri për ta ndihmuar.
Pas ngjarjes, vajza u dërgua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Familja e saj bëri kallëzim në Policinë e Shtetit italian. Për ngjarjen janë denoncuar dy vajza 14-vjeçare dhe një tjetër edhe më e vogël, me gjasë 11 vjeçe, e cila për shkak të moshës nuk është e përgjegjshme penalisht sipas ligjit italian.

