Ai vjen nga një familje artistësh, vëllai i divës shqiptare Vaçe Zela… Po edhe vetë është gjenial i interpretimit të këngës popullore.
Fjala është për Hysni Zelën, i cili ishte i ftuar sot në “S’e Luan Topi”, ku rrëfimet e tij kanë qenë shumë emocionuese.
Hysni Zela u ndal te fëmijëria e tij në Lushnje dhe te vitet e para të jetës, kur motra e tij, Vaçja, ndodhej në Tiranë dhe kishte dëshirë që edhe pjesa tjetër e familjes të shkonte në kryeqytet.
“Ishte një fëmijëri shumë e varfër, megjithatë si të gjithë të tjerët në atë kohë. Vaçja ishte më e madhe, ishte në Tiranë në gjimnaz. Dëshira e saj ishte që ne të shkonim në Tiranë, ndërsa prindërit tanë nuk donin”, kështu e kujton ai fëmijërinë në Lushnje.
Më tej, Hysni Zela rrëfeu edhe për momentet kur nisi të këndonte së bashku me Vaçen. Ai tregon se motra e tij ishte shumë kërkuese dhe i bënte vërejtje për mënyrën se si interpretonte, duke e ndihmuar që të përmirësohej.
“Vaçja gjithë jetën ka qenë e suksesshme… unë isha 14 vjeç kur erdha në Tiranë. Kur nisa të këndoj me të, ajo më bënte natyrisht vërejtje. Por vërejtjet e saj ishin… hajde t’i bëj. Nuk ishte e thjeshtë. Ajo kërkonte shumë gjëra. Më thoshte ‘pse e bën fytyrën kështu?’. Unë i thoja ‘si ta bëj mor aman’. Rrija rrija dhe i thoja ‘e di që të kom frikë unë kur flet ti kështu?’.”, kujton ai.
Edhe pse ka krijuar identitetin e tij si artist, Hysni Zela tregon se edhe sot shpesh identifikohet përmes lidhjes me motrën e tij të famshme. Ai thotë se këtë e përjeton me krenari, por njëkohësisht shprehet me humor për faktin se emri i tij shpesh lihet në plan të dytë.
“Unë po shkoj 80-vjeç dhe ende më thonë ‘vëllai i Vaçe Zelës’. Unë e kam për krenari, por them ‘si nuk thanë njëherë Hysni Zela?’”, u shpreh ai me nota humori.
Në rrëfimin e tij, Hysni Zela foli edhe për Vaçen si motër dhe si njeri, duke e përshkruar si një person të jashtëzakonshëm dhe shumë të përkushtuar ndaj familjes. Ai kujtoi edhe kujdesin që ajo tregonte për prindërit dhe për pjesëtarët e familjes.
“Vaçja ishte e jashtëzakonshme, një njeri i jashtëzakonshëm, njeri që ndihmonte, i ndihmonte prindërit përderisa na pruri në mes të Tiranës në atë kohë. Dilte, bënte pazarin, e çdo gjë i bënte ajo”, pohoi ai.
