Një studente masteri në Universitetin e Cardiff-it ka rrëfyer vështirësitë ekstreme për të hyrë në tregun e punës, pasi aplikoi për mbi 400 vende pune dhe mori vetëm tre ftesa për intervistë. 21-vjeçarja Karyna Lohvynenko, me eksperienca që përfshijnë punë me Kombet e Bashkuara dhe institucione në SHBA dhe Britani, thotë se është përballur vazhdimisht me fenomenin e njohur si “ghosting”, kur punëdhënësit nuk japin asnjë përgjigje, madje as refuzim.

“Pas dhjetëra aplikimeve në javë dhe vetëm disa përgjigjeve, pjesa tjetër është thjesht heshtje totale. Është më e keqe se refuzimi”, shprehet ajo. Pavarësisht një CV-je të fortë dhe eksperiencave ndërkombëtare, ajo ka aplikuar në fusha të ndryshme; nga politika dhe biznesi, deri te punë bazike si bariste, pa sukses.

Ekspertët e rekrutimit thonë se kjo situatë po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Sipas tyre, një nga arsyet kryesore është përdorimi në rritje i sistemeve të automatizuara dhe inteligjencës artificiale për filtrimin e aplikimeve, që shpesh nuk arrijnë kurrë te një vendimmarrës njerëzor.

“Shumë aplikime nuk shihen kurrë nga një person real. AI kërkon modele, jo potencial”, thonë rekrutuesit, duke theksuar se edhe kandidatët e fortë mund të humbasin në volum. Sipas të dhënave të Zyrës për Statistika Kombëtare, papunësia në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 5.2%, ndërsa për të rinjtë (16-24 vjeç) ka shkuar në mbi 16%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë.

Pavarësisht sfidave, Karyna mbetet e vendosur: “E di që do të arrij. Për momentin, thjesht duhet të vazhdoj derisa dikush të shohë potencialin tim”.