Muzikanti i famshëm amerikan, Jon Bon Jovi, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e tij në “Instagram” një pjesë të rëndësishme nga fillimet e karrierës së tij. Është fjala për kontratën e tij të parë profesionale.

Siç vihet re në postimin e tij, dokumenti, i nënshkruar nga producenti Meco Monardo, lidhje me realizimin e një albumi festiv me titullin “Christmas in the Stars”, i prodhuar për kompaninë “RSO Records Inc”. Albumi bazohej në personazhet e filmave “Star Wars” dhe “The Empire Strikes Back”.

Sipas kontratës, në atë kohë, Bon Jovi është paguar vetëm 180 dollarë (154 euro) dhe ka hequr dorë nga çdo e drejtë autorësie për projektin.

“Kontrata ime e parë nga viti 1980, gjithmonë kënaqësi ta gjesh. Mendoj se është postuar diku në internet”, shkroi artisti teksa postoi foton e kontratës në “Instagram”.

Albumi “Christmas in the Stars: Star Wars”, i publikuar në vitin 1980, përfshinte kryesisht aktorin Anthony Daniels, ndërsa përfshirja e Bon Jovit u realizua në këngën “R2-D2 We Wish You a Merry Christmas”, që konsiderohet incizimi i tij i parë profesional.

Bon Jovi ka treguar më herët, gjatë një interviste në “Jimmy Kimmel Live” në prill 2024, se si u bë pjesë e këtij projekti. Ai punonte në një studio regjistrimi nga vjeshta e vitit 1980 dhe Meco Monardo e ftoi të këndonte kundrejt pagesës simbolike prej 180 dollarësh.

“A di të këndosh?” i kishte thënë producenti. “Mendoj se mundem”, ishte përgjigjja e Jonit.

Megjithëse karriera e tij profesionale nisi me një album festiv të lidhur me “Star Wars”, fama e vërtetë erdhi me këngën “Runaway”, të cilën Bon Jovi ua shpërndau personalisht DJ-ve në kasetë.

Kënga u kthye shpejt në hit dhe u rendit në Top 40, duke shënuar nisjen e një prej karrierave më të suksesshme në historinë e rock-ut.

Sot, më shumë se 40 vite më vonë, Bon Jovi numëron mbi 130 milionë albume të shitura, ndërsa grupi vazhdon aktivitetin me publikimin e albumit të 16-të në vitin 2024.