Holanxa i është bashkuar Irlandës duke thënë se nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2026 nëse Izraeli merr pjesë në këtë ngjarje, duke pasur parasysh shkallën e vuajtjeve në Rripin e Gazës. Një ditë më parë, transmetuesi publik irlandez RTE tha se pjesëmarrja izraelite ishte ‘e paarsyeshme’ duke pasur parasysh ‘humbjen e tmerrshme të jetës në Gaza’. AvroTros njoftoi se mori parasysh numrin e madh të gazetarëve të vrarë në Gaza kur vendosi të bojkotojë garën e vitit 2026, e cila u ndoq nga 166 milionë njerëz në televizion këtë vit, në rast se Izraeli merr pjesë në garë.

Izraeli mohon se po i shënjestron qëllimisht gazetarët në enklavën bregdetare. Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), i cili organizon eventin, tha se e kuptonte ‘shqetësimin’ dhe po konsultohej me të gjithë anëtarët e EBU-së. “Ne po vazhdojmë të angazhohemi me të gjithë anëtarët e EBU-së për të mbledhur pikëpamje se si të merremi me pjesëmarrjen dhe tensionet gjeopolitike që rrethojnë Festivalin e Këngës në Eurovision”-tha drejtori Martin Green në një deklaratë.