Pas pranimit të Granit Xhakës se kishte blerë një certifikatë vaksinimi COVID-19, mjekja që figuron pas dokumentit ka dhënë një tjetër version të ngjarjes. Andrea L. këmbëngul se e ka vaksinuar realisht futbollistin dhe se certifikata ishte e rregullt. Sipas saj, Xhaka kishte kaluar COVID-in më herët dhe vaksina e parë ishte konsideruar si dozë përforcuese.

“Unë e kam vaksinuar Xhakën në mënyrë korrekte!”, deklaroi ajo për “Blick”. Mjekja mohoi gjithashtu se klinika e saj është mbyllur, duke thënë se ajo vijon të jetë e hapur.

Ndërkohë, policia kishte kontrolluar klinikën në vitin 2023 dhe kishte sekuestruar dokumente, mes tyre edhe një dosje që mbante emrin e Xhakës. Hetimet vijojnë, ndërsa për personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë.