Mel B ka konfirmuar për “The Sun” se grupi i famshëm “Spice Girls” do të jetë sërish bashkë në një rikthim të fuqishëm, për një projekt. Pas 11 vitesh, që nga performanca e tyre në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012, ky do jetë takimi i tyre i parë.

Kujtojmë se në vitin 2019, Victoria Beckham nuk donte të bashkohej me yjet e saj në turneun e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Në atë kohë, ajo shprehej se ishte shumë e zënë me markën e saj të veshjeve.

Po tani? Sipas Mel, Victoria ka pranuar që t’u bashkohet.

“Ne po planifikojmë të bëjmë një deklaratë publike. Ne jemi duke finalizuar marrëveshjet përfundimtare se çfarë do të bëjmë së bashku. Gjithçka që mund të them është se do të jetë diçka që fansat me të vërtetë do ta duan”, tha Mel B.

Ndërsa kur u pyet se si Victoria u bind të kthehej, ajo tha:

“Nuk është çështje ta bindësh. Dua të them, ne kemi qenë gjithmonë në kontakt disi. Nuk është se ne nuk flasim. Kemi një bisedë në grup në WhatsApp. Victoria ka qenë shumë e zënë me linjën e saj të modës vitet e fundit dhe ka qenë mbështetëse për bashkëshortin e saj David Beckham dhe karrierën e tij. Ka edhe detyrime sa i përket fëmijëve. Është vetëm një çështje për të gjetur kohën e duhur”.

Edhe pse Mel nuk ka dashur të zbulojë ende detaje, mediat britanike spekulojnë se bëhet fjalë për një koncert në Glastonbury.