Lore ka qenë e ftuar së fundmi në studion e “Big Brother Radio” në Top Albania Radio, për të folur më shumë për rrugëtimin e saj në “Big Brother VIP 5”, cilat ishin pritshmëritë e saj, por duke zbuluar pak dhe nga projektet e saj të radhës…
Si ka qenë ky rrugëtim për ty?
Ishte shumë qejf, të them të drejtën nuk e mendoja se do të ndërpritej kaq shpejt. Për sa kohë që isha në garë, e mendoja veten shumë më gjatë, minimalisht në finale. Nuk jam e zhgënjyer, por pak e trishtuar që nuk pata mundësinë të ecja pak më gjatë, të tregoja disa gjëra më shumë. Kur ma kanë propozuar në fillim, izolimi më trembte. Por nga sekondi i parë kur u futa aty, e harrova totalisht se ku isha dhe faktin që kishte kamera vërdallë.
Pse mendon se publiku votoi që ti të dilje nga shtëpia?
Kam përshtypjen kjo e të shfaqurit karakterin tim më butë dhe më ngadalë. Kam lexuar shumë mesazhe dhe komente që e lidhin me një paqëndrueshmëri timen. Duke qenë dhe pak introverte si natyrë, e kam zbuluar veten time njësoj siç kam zbuluar muzikën, gradualisht. Gradualisht njerëzit kanë depërtuar tek shpirti im, tek brendia ime. Këtë gjë bëra dhe aty natyrshëm. E vetmja strategji që pata kur hyra, ishte që të isha natyrale, sa më natyrshëm, ashtu siç jam çdo ditë.
Në fund të intervistës, Lore dha një lajm ekskluziv, ku zbuloi se për pak ditë do të publikohet bashkëpunimi i saj me MC Kreshën.
