Një moment sa i papritur aq edhe argëtues ka bërë bujë në rrjete sociale, pasi Mohamed Hadid publikoi gabimisht një foto të gjeneruar me inteligjencë artificiale, duke menduar se ishte vajza e tij, Gigi Hadid, nga Met Gala.

Mes shumë imazheve që qarkullonin online nga mbrëmja e madhe e modës, ai ndau një fotografi që në fakt ishte krijuar me AI. Ndjekësit e kuptuan menjëherë gafën, duke vënë në dukje se personi në foto nuk i ngjante aspak modeles së famshme.
Reagimet në komente u mbushën me humor, me shumë përdorues që e cilësuan situatën si një nga momentet më qesharake të ditës. Disa madje theksuan se ishte “e pabesueshme” se si teknologjia mund të krijojë konfuzion edhe në raste të tilla personale.
Pas reagimeve të shumta, Mohamed Hadid vendosi ta fshijë postimin, por jo përpara se ai të bëhej viral.
Ndërkohë, paraqitja reale e Gigi Hadid në Met Gala nuk kaloi pa u vënë re. Modelja u shfaq për herë të 11-të në këtë event me një fustan transparent nga Miu Miu, të zbukuruar me kristale dhe motive flakësh e lulesh në nuanca ari, të zeza dhe argjendi.

Look-u i saj u komentua gjerësisht si një nga paraqitjet më të guximshme të mbrëmjes, duke e rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes së botës së modës.

