Nonna Silvi, e njohur për recetat tradicionale toskane dhe videot që e kthyen në një nga personazhet më të dashur të rrjeteve sociale, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.
Silvana Bini, siç ishte emri i saj i vërtetë, ndërroi jetë gjatë natës mes 30 dhe 31 tetorit, në banesën e saj në Montespertoli, në provincën e Firences, Itali. Lajmin e trishtë e bënë të ditur nipërit e saj përmes një postimi në faqen zyrtare të Nonna Silvit, e cila numëron më shumë se 4 milionë ndjekës.
Në mesazhin e tyre, familjarët zbuluan se ajo ishte prekur nga një sëmundje e rëndë, e cila brenda vetëm 20 ditësh i mori jetën.
“Për shumë prej jush ishte Nonna Silvi. Për ne ishte thjesht gjyshja. Na la e rrethuar nga dashuria e familjes, me fëmijët dhe nipërit pranë deri në frymën e fundit. Qëndroi e kthjellët deri në fund. Edhe në ato momente vazhdonte të na pyeste çfarë duhej bërë dhe si po shkonte puna”, shkruan familjarët, duke e përshkruar si një grua të veçantë dhe me forcë të rrallë, që ia kishte kushtuar gjithë energjinë familjes.
Historia e suksesit të Nonna Silvit nisi në vitin 2022, kur nipërit e saj, Gabriele dhe Simone Martini, filluan të publikonin video ku ajo përgatiste receta në furrën e familjes, Forno Martini, në Castelfiorentino. Përzierja e gatimit tradicional, humorit dhe karakterit të saj të drejtpërdrejtë bëri që videot të bëheshin virale, duke e kthyer në një fenomen të vërtetë në TikTok dhe Instagram.
Me kalimin e kohës, ajo arriti të ndërtojë një komunitet prej miliona ndjekësish, ndërsa fama e saj kapërceu kufijtë e Italisë. Në vitin 2024, Nonna Silvi udhëtoi drejt Katarit, ku u ftua të gatuante për familjen mbretërore Al-Thani. Ajo publikoi gjithashtu një libër me receta, u vlerësua nga Forbes dhe fitoi çmimin TikTok Award 2025. Së fundmi, ishte bërë pjesë edhe e programit televiziv “Celebrity Chef”, ku shërbeu si gjyqtare përkrah Alessandro Borghese.
Familjarët njoftuan se aktiviteti i biznesit do të pezullohet për dy ditë në shenjë zie, për t’u rikthyer më pas me vendosmërinë për të vazhduar ëndrrën që kishin ndërtuar së bashku me të. Ceremonia mortore e Nonna Silvit do të mbahet të hënën pasdite në Montespertoli, në kishën Sant’Andrea.

