Regjisori i Glambot-it, Cole Walliser, ka hedhur poshtë pretendimet se Jennifer Lopez ka qenë e pasjellshme me të gjatë xhirimeve të saj në Golden Globes 2026. “Nuk e mora personale. Në atë moment nuk më është dukur aspak e pasjellshme”, tha regjisori kanadez në një video të publikuar në Instagram.

“Së pari, ajo ishte thjesht e përqendruar në punë. Tapeti i kuq ishte mbyllur. Ajo ishte gati të hynte brenda. E dinte saktësisht çfarë do të bënte. U pozicionua menjëherë.” Walliser tha se ishte thjesht fatkeqësi që Lopez në videon që u bë virale ndodhej me shpinë nga ai.

“Unë po flisja me të, ajo po shikonte nga ana tjetër, por në fakt po përgatitej për lëvizjen. Në atë moment, nuk mendova: ‘Hej, kthehu dhe më shiko’. E dija çfarë po bënte.”

Ndërkaq, Jennifer Lopez ka rikthyer vëmendjen e publikut jo vetëm me energjinë e saj në skenë, por edhe me mesazhe të forta për dashurinë, vetërespektin dhe rritjen personale. Gjatë një koncerti të fundit, artistja ikonë u ndal për të reflektuar mbi një nga hitet që e bëri të famshme, “If You Had My Love”, duke i dhënë këngës një kuptim krejtësisht të ri pas viteve të përvojave personale.

Lopez tregoi se kur e këndoi për herë të parë këtë këngë ishte e re, plot ëndrra dhe shpresa, ndërsa sot e sheh dashurinë me më shumë qartësi dhe forcë. Sipas saj, ndjenjat nuk janë më premtime të verbra, por diçka që duhet fituar dhe merituar. Ajo theksoi se partneri i saj i ardhshëm duhet ta respektojë, ta pranojë ashtu siç është dhe ta trajtojë me dinjitet, pa asnjë kompromis.