Aktori i njohur, Brad Pitt, kujtoi vizitën e tij të parë në një takim të ‘Alkoolistëve Anonimë’ pas divorcit nga Angelina Jolie. Kjo periudhë e jetës së tij ishte jashtëzakonisht e trazuar për të dhe ai vendosi të kërkonte ndihmë profesionale. “Kisha nevojë të vija në vete për disa gjëra. Provova gjithçka dhe çdo gjë, gjithçka që më ofronin njerëzit. Ishte një periudhë e vështirë. Kisha nevojë për një rifillim të jetës”-tha ai gjatë një paraqitjeje në podcast-in “Armchair Expert”.
Ai shkoi në një takim të ‘Alkoolistëve Anonimë’ për një vit e gjysmë, pas ndarjes nga Angelina Jolie në vitin 2016. Tani thotë se fillimisht u ndje i frikësuar kur erdhi radha e tij për të folur për varësinë nga alkooli, por u inkurajua nga të tjerët që flisnin hapur për problemin e tyre. “Të inkurajon të thuash: ‘Në rregull, do të dal nga zona e rehatisë dhe do të shoh çfarë ndodh’ dhe pastaj më pëlqeu shumë”-tha aktori duke shtuar se është rritur në një mjedis ku burrat këmbëngulnin që jeta e tyre të ishte e mrekullueshme.
“Ishte e pabesueshme. Burrat ndanë përvojat e tyre, folën për të metat, lëvizjet e gabuara, dëshirat dhe atë që i lëndon me shumë humor”-tha ai. Varësia nga alkooli luajti një rol të madh në divorcin e tij nga Angelina Jolie. Aktorja pretendoi se ai e sulmoi fizikisht atë dhe fëmijët e tyre në një aeroplan ndërsa ishte nën ndikimin e alkoolit. Dyshja u divorcuan zyrtarisht në vitin 2019 dhe aktualisht Pitt është në një lidhje me Ines de Ramon.
Brad, pavarësisht përpjekjeve për t’u afruar me fëmijët e tij, vazhdon të përjetojë një distancë të dhimbshme nga shumica prej tyre. Sipas një raporti të publikuar nga “Us Weekly”, aktori e ndjen thellë këtë plagë emocionale, ndërsa përpjekjet e tij për të riparuar marrëdhëniet kanë rezultuar të pasuksesshme, duke i shkaktuar trishtim të madh. Rikujtojmë se Pitt dhe ish-bashkëshortja e tij, Angelina Jolie, kanë gjashtë fëmijë.