Hipovolemia është një komplikacion i rrezikshëm për jetën, që ndodh kur trupi humb shumë lëngje, si gjakun apo ujin, duke prishur funksionimin normal të organeve. Rreth 50 deri në 60 për qind të trupit të njeriut përbëhet nga lëngjet. Tek hipovolemia humbet më shumë se 15 për qind e lëngjeve qarkulluese, prandaj fillimi i menjëhershëm i trajtimit është thelbësor për të parandaluar komplikacionet kërcënuese për jetën, si dëmtimi i organeve, shoku ose vdekja. Hipovolemia mund të zhvillohet papritur, si pasojë e lëndimeve, gjakderdhjes, të vjellave, diarresë ose djersitjes së tepërt. Zbulimi i hershëm i simptomave dhe ndërhyrja e shpejtë mjekësore përmirësojnë ndjeshëm rezultatin.

Shoku hipovolemik është forma më e rëndë e hipovolemisë dhe kërkon trajtim urgjent. Kjo gjendje shfaqet kur trupi humb një sasi të madhe lëngjesh ose gjaku, duke e bërë të pamundur që zemra të pompojë mjaftueshëm gjak nëpër organizëm. Shoku hipovolemik mund të çojë në dështim të organeve. Personat që përjetojnë shok hipovolemik humbin më shumë se 20 për qind të lëngjeve të trupit dhe kjo mund të ndodhë si pasojë e lëndimeve të rënda (prerje ose djegie), gjakderdhjes së brendshme, të vjellave ose diarresë.

Trupit i nevojitet një sasi e caktuar lëngjesh (gjak) që organet të funksionojnë normalisht. Ashtu si bimët në kopsht që kanë nevojë për ujë për të “mbijetuar”, ndërsa trupit i duhen lëngje që të mos “vyshket”. Nëse bie thatësira dhe bimët nuk kanë mjaft ujë, ato fillojnë të thahen. Në mënyrë të ngjashme, kur trupi humb shumë lëngje, ai fillon të “shterojë”. Kur diagnostikohet hipovolemia, profesionisti shëndetësor i jep pacientit lëngje.

Simptomat e hipovolemisë ndryshojnë në ashpërsi nga personi në person. Shenjat përfshijnë marramendje kur ngriheni në këmbë, lëkurë dhe gojë të thatë, lodhje ose ndjenjë dobësie, ngërçe muskulore dhe pamundësi për të urinuar ose urinë më të errët se zakonisht. Simptomat e rënda, që mund të tregojnë shok hipovolemik kërcënues për jetën, përfshijnë hutim, vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje të shpejtuar, djersitje të tepruar, humbje të vetëdijes, tension të ulët, temperaturë të ulët trupore, zbehje ose ngjyrë blu të lëkurës dhe buzëve (cianoza).

Nëse shfaqet ndonjë prej këtyre simptomave, veçanërisht pas një lëndimi, duhet kërkuar menjëherë ndihmë urgjente. Humbja e lëngjeve trupore apo e gjakut çon në hipovolemi. Trupi mund të humbë lëngje ose gjak në disa mënyra, duke përfshirë gjendje të shoqëruara me të vjella dhe diarre të shpeshta, hemorragjinë e brendshme; gjendje që shkaktojnë gjakderdhje brenda trupit, dehidratimin ose kequshqyerjen: mungesa e marrjes së ujit dhe kripërave (elektroliteve) ul vëllimin e gjakut, djersitjen e tepërt.