Një studim i ri ka zbuluar se lëvizshmëria e spermës, aftësia e saj për të notuar në mënyrë efektive është më e lartë gjatë muajve të verës dhe më e ulët në dimër, pavarësisht ndryshimeve klimatike. Kërkimi, i publikuar në revistën shkencore Reproductive Biology and Endocrinology, analizoi mostra të spermës nga 15 mijë e 581 burra të moshës 18–45 vjeç në Danimarkë dhe Florida.

Sipas rezultateve, motiliteti i spermës arriti nivelet më të larta në qershor dhe korrik në të dyja vendet, ndërsa nivelet më të ulëta u regjistruan në dhjetor dhe janar. Edhe pse Florida ka temperatura të ngrohta gjatë gjithë vitit, studiuesit konstatuan të njëjtin model sezonal si në Danimarkë, çka sugjeron se temperatura e ambientit nuk është faktori i vetëm që ndikon në cilësinë e spermës.

Në të njëjtën kohë, studimi nuk gjeti ndryshime në përqendrimin total të spermës apo në vëllimin e ejakulimit gjatë stinëve të ndryshme. Kjo do të thotë se numri i spermatozoidëve mbetet i qëndrueshëm, ndërsa aftësia e tyre për të lëvizur ndryshon sipas sezonit.

Sipas autorëve, kuptimi i këtyre modeleve sezonale mund të ndihmojë në përmirësimin e trajtimeve të fertilitetit, duke optimizuar kohën e testimeve dhe ndërhyrjeve për çiftet që përpiqen të konceptojnë. Profesori Allan Pacey nga Universiteti i Manchesterit, bashkautor i studimit, tha se studiuesit u habitën nga ngjashmëria e rezultateve në dy klima kaq të ndryshme.

“Edhe në Florida, ku temperaturat janë të larta gjatë gjithë vitit, motiliteti i spermës arriti kulmin në verë dhe ra në dimër. Kjo tregon se vetëm temperatura e jashtme nuk mjafton për ta shpjeguar fenomenin”, deklaroi ai. Studiuesit theksojnë se temperatura optimale e testikujve ku prodhohet dhe ruhet sperma duhet të jetë 2 deri në 4 gradë Celsius më e ulët se temperatura mesatare e trupit (37°C). Çdo devijim nga ky interval mund të ndikojë negativisht në lëvizshmërinë e spermës dhe, rrjedhimisht, në fertilitet.