Filmi australian “Together”, i cili u modifikua në mënyrë digjitale në Kinë për të portretizuar një çift të të njëjtit seks si heteroseksual, ka tërhequr reagime negative nga publiku në Kinë. Filmi horror “Together”, me protagonistë Dave Franco dhe Alison Brie, u shfaq në kinema të zgjedhura në Kinë në premiera më 12 shtator. Shikuesit më vonë vunë re se disa skena ishin ndryshuar pasi pamjet e skenave origjinale u bënë virale në internet.

Filmi duhej të publikohej zyrtarisht më 19 shtator, por deri më sot nuk ka filluar të shfaqet në kinema. Shpërndarësi global i filmit, Neon, e dënoi ndryshimin, duke deklaruar se nuk e tolerojnë “montazhin e paautorizuar” dhe po kërkojnë që shpërndarja e një versioni të tillë të filmit të ndalet. Filmi horror, i shkruar dhe i drejtuar nga australiani Michael Shanks, ndjek një çift që shpërngulet në fshat, ku përballen me një forcë misterioze që ndikon në trupat, jetën dhe marrëdhënien e tyre.

Filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar dhe u publikua në SHBA dhe Australi në korrik. Kritikët e kanë vlerësuar kryesisht pozitivisht filmin, i cili ka një rezultat prej 90% në Rotten Tomatoes. Megjithatë, sapo filluan premierat në Kinë, publiku vuri re ndryshime në skenat e seksit pasi pamjet origjinale filluan të përhapeshin në internet. Në një skenë ku personazhi kryesor mashkull po bën dush, në versionin kinez u shtua avull për të fshehur trupin e tij.