Cristiano Ronaldo ka treguar së fundmi se dasma e tij me partneren Georgina Rodriguez, mund të ndodhë vetëm pasi ai të përmbushë një tjetër ëndërr të madhe në karrierë; fitimin e Kupës së Botës 2026 me Portugalinë. Në një intervistë të re, superylli portugez pranoi se planet për martesë kanë qenë prej kohësh pjesë e diskutimeve të çiftit, por të dy presin momentin e duhur. “E kishim planifikuar ta bënim pas Kupës së Botës me trofeun”, tha Ronaldo, duke lënë të kuptohet se ideja e kurorëzimit vjen e lidhur me një sukses historik për kombëtaren e tij.
Ronaldo zbuloi gjithashtu se Georgina preferon një ceremoni të qetë dhe intime, larg syrit të publikut. “Ajo nuk i pëlqen festat e mëdha. Do të respektoj vendimet e saj”, u shpreh sulmuesi. Kombëtarja portugeze pritet të ketë një skuadër të fortë dhe ambicioze në Botërorin e Amerikës së Veriut, ndërsa vetë Ronaldo shpreson ta mbyllë karrierën ndërkombëtare me një triumf historik.
Rikujtojmë, se CR7 i propozoi Georgina Rodriguezit për martesë, me një unazë e cila vlerësohet të paktën gjashtë milionë euro. Ky ishte mesazhi nga influencuesja: “Po, po. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mia”. Ndërkaq, Alberto Guzman ka dhënë më shumë detaje rreth planeve të dasmës së çiftit. “Mund t’ju them se unaza nuk ishte dhurata e vetme që i ka bërë Georginas, por i ka dhuruar asaj edhe një Porsche, dy ora, me vlerë më shumë se 50 mijë euro dhe rroba nga dy stilistë të njohur për më shumë se 30 mijë euro”.



