Aktorja amerikane, Emma Stone, ka zbuluar pse e fshehu për muaj të tërë faktin se e rruajti kokën për rolin e saj në filmin “Bugonia”. Në një intervistë me revistën People, aktorja 36-vjeçare thotë se e mbuloi pamjen e saj për të ruajtur një element “surprize ose momenti interesant”, pavarësisht se nuk i pëlqente të vishte kapele për tre muaj për të fshehur ndryshimin dramatik.
“Një nga gjërat e mrekullueshme që ndodhi me filmin ‘Poor Things’ ishte se askush nuk kishte parë foto të pamjes së Bellas ose të personazhit të saj dhe të atyre flokëve të zinj shumë të gjatë. Ishte kënaqësi kur doli trailer-i i filmit dhe të gjithë thanë, ‘Uau’. Është mirë kur kjo zbulohet më vonë”-tha ajo. Në filmin e ri të regjisorit grek Yorgos Lanthimos, Stone luan rolin e drejtoreshës ekzekutive me ndikim të një kompanie farmaceutike, ‘Michelle Fuller’.
Pasi përfundoi prodhimi i filmit, Stone u dashurua me pamjen e saj të re. “E dija për një vit se do ta rruaja kokën dhe pastaj erdhi dita. Po vendosnin katër kamera sepse duhej të xhironim dhe kryesisht po xhironim me VistaVision, e cila është një kamera e bukur por shumë e paparashikueshme që shpesh fiket, kështu që më duhej shumë kohë për të vendosur të gjitha kamerat dhe unë thjesht fillova të panikohesha për këtë”, shpjegoi ajo.
Për shkak të angazhimit të saj për ta mbajtur transformimin larg syrit të publikut, Stone nuk e ka prezantuar dukjen e re në tapetin e kuq, duke zgjedhur të mbante paruke në premierën e “A Real Pain” gjatë Festivalit të Filmit në New York tetorin e kaluar. “Bugonia” do të shfaqet premierë në kinema më 31 tetor.




