Shkencëtarët kanë zbuluar se oksigjeni mund të prodhohet edhe pa praninë e fotosintezës, duke sfiduar bindjen e deritanishme se bimët dhe algat janë burimi i vetëm i ajrit që mbështet jetën. Në një thellësi rreth 4 mijë metrash nën sipërfaqen e Oqeanit Paqësor, në errësirë të plotë, një ekip i udhëhequr nga Shoqata Skoceze për Shkencat Detare ka identifikuar atë që e quajnë “oksigjen i errët” (dark oxygen), i prodhuar pa dritë dielli.

Gjatë kërkimeve në zonën Clarion-Clipperton, studiuesit zbuluan nodula polimetalike, shkëmbinj në madhësinë e një patateje, të pasur me kobalt dhe nikel të cilët funksionojnë si “gjeobateri” natyrore. Sipas tyre, këta shkëmbinj të ngarkuar elektrikisht krijojnë tension të mjaftueshëm për të nxitur elektrolizën e ujit të detit, një proces kimik që ndan molekulën e ujit (H2O) në hidrogjen dhe oksigjen.

Ky zbulim vë në pikëpyetje teoritë e hershme biologjike, sipas të cilave vetëm organizmat fotosintetikë mund të prodhojnë oksigjen, dhe mund të ndikojë në rishikimin e teorive mbi origjinën e jetës në Tokë.

Megjithatë, studimi ngre edhe shqetësime për mjedisin. Të njëjtat nodula polimetalike janë objektiv i kompanive që synojnë nxjerrjen e metaleve për bateritë e automjeteve elektrike. Shkencëtarët paralajmërojnë se shfrytëzimi i tyre mund të ketë pasoja të panjohura për ekosistemet e thella oqeanike, duke kërkuar një vlerësim më të kujdesshëm të kostove mjedisore të minierave nënujore.