Një hetim i BBC Global China Unit ka zbuluar përmasa shqetësuese të fenomenit të kamerave të fshehta në dhomat e hoteleve në Kinë, ku pamje intime të klientëve regjistrohen dhe transmetohen pa dijeninë e tyre në platforma online, kryesisht për qëllime fitimi.

Rasti i publikuar nga BBC tregon historinë e “Eric”, i cili në vitin 2023 zbuloi rastësisht se ai dhe partnerja e tij ishin filmuar fshehurazi gjatë një qëndrimi në një hotel në Shenzhen dhe se pamjet ishin shpërndarë për mijëra përdorues në kanale online. Zbulimi kishte ndodhur vetëm disa javë pas qëndrimit të tyre në hotel.

Pamjet ishin realizuar përmes kamerave të vogla të fshehura në dhomat e hotelit, të lidhura drejtpërdrejt me rrjete transmetimi live. Sipas BBC-së, disa faqe dhe aplikacione të promovuara kryesisht përmes Telegram pretendojnë se operojnë mbi 180 kamera të fshehta aktive në hotele të ndryshme në të gjithë Kinën.

Edhe pse prodhimi dhe shpërndarja e materialeve pornografike është e ndaluar në Kinë, ky fenomen ekziston prej vitesh dhe, sipas BBC-së, është përhapur edhe më shumë së fundmi, i nxitur nga teknologjia dhe nga rrjetet sociale.

Në prill të vitit të kaluar, autoritetet kineze miratuan rregullore të reja që detyrojnë hotelet të kryejnë kontrolle të rregullta për kamera të fshehta, por hetimi tregon se praktika vazhdon. BBC identifikoi mijëra video të reja të filmuara në dhoma hotelesh, ndërsa vlerëson se mijëra persona mund të jenë filmuar pa dijeni, bazuar në normat e zakonshme të frekuentimit të hoteleve.