Një gjykatë në Singapor i dha të drejtë një 97-vjeçari të martohet me partneren e tij, pas një beteje ligjore me djalin që kërkonte ta shpallte të paaftë mendërisht. Djali pretendonte se i ati vuante nga demenca dhe po manipulohej nga partnerja e tij afatgjatë.

Megjithatë, provat mjekësore treguan se ai kishte vetëm rënie të lehtë të kujtesës, por ishte plotësisht i aftë të merrte vendime për jetën dhe pasurinë e tij. Gjykata vlerësoi gjithashtu se marrëdhënia mes tyre zgjaste prej rreth 50 vitesh dhe nuk kishte prova për shfrytëzim financiar. Djali ka apeluar vendimin, ndaj martesa mund të vonohet.