Një situatë e pazakontë ndodhi së fundmi në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, kur tre miliarderë surprizuan vizitorët e një restoranti të njohur të ushqimit të shpejtë dhe paguan darkën për të gjithë të pranishmit. Bëhet fjalë për Jensen Huang, CEO të Nvidia, kompanisë që aktualisht është më e vlefshmja në botë dhe dy udhëheqës të gjigantëve të teknologjisë së Koresë së Jugut; Lee Jae-yong, president i Samsung dhe Chung Eui-sun, president ekzekutiv i Hyundai Motor Group. Treshja shijoi “chimaek”, një kombinim popullor i pulës së skuqur dhe birrës së ftohtë me akull që është një pjatë që duhet provuar nga vizitorët e Koresë së Jugut. Ata drekuan në Kkanbu Chicken në qendër të Seulit, pak para samitit të APEC në Gyeongju.

“Më pëlqen shumë pula e skuqur dhe birra me miqtë, kështu që Kkanbu është vendi i përsosur, apo jo?” i tha Huang të pranishmve me të mbërritur në restorant. Sipas një raporti nga agjencia kombëtare e lajmeve Yonhap, treshja hëngri topa djathi, shkopinj djathi, pulë pa kocka dhe pulë të skuqur tradicionale, së bashku me birrën koreane Terra dhe pijen alkoolike lokale soju.

Videot nga mediat lokale treguan treshen, pasuria e të cilëve e kombinuar është 195 miliardë dollarë, duke ngritur gotat në shenjë miqësie, një zakon që simbolizon afërsinë gjatë pirjes në Korenë e Jugut. Huang, Lee dhe Chung dolën dhe u ofruan të pranishmve shkopinj pule dhe djathi. Huang tha: “Krahët e pulës ishin të shkëlqyera. A keni qenë këtu më parë? Është e mrekullueshme, apo jo?” Lee pagoi faturën e parë, ndërsa Chung mbuloi raundin e dytë.